Situata nga COVID-19 shumë shpejt mund të dalë nga kontrolli, ka paralajmëruar mjeku kosovar, njëherësh këshilltar i kryeministrit Hoti, Visar Berisha.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka paralajmëruar për rrezikun nga COVID-19 me të cilin Kosova mund të ballafaqohet.
“Jemi afër një rreziku real e të matshëm! Covid-19 po shtrihet dhe kapilarizohet me shpejtësi e cila po e shton veten eksponencialisht. Situata është serioze! Nëse nuk i përmbahemi masave secili prej nesh do të përfundojmë duke bërë garë për një shtrat në spital”, ka shkruar Berisha.
Berisha ka alarmuar edhe për mungesën e vaksinës.
“Ne nuk jemi askund afër imunizimit të tufës, që ndonjë mediokër mund ta ketë pretenduar. Nuk e kemi as vaksinën. Ne kemi një moshë të re popullate që është shndërruar në super-shpërndarës të virusit. Të ndalemi për një moment e të reflektojmë; maska është alternativa e vetme, distanca po ashtu. Ikni vizitave familjare dhe ndejave të përbashkëta, nuk është koha tash”, ka shkruar ai.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se në 24 orët e fundit, janë regjistruar 661 raste të reja me COVID-19./GazetaSinjali/
Discussion about this post