“Ai u zgjodh për të zgjidhur disa çështje të brendshme të Kosovës, të tilla si korrupsioni, drejtësia dhe çështjet sociale, dhe ai e di shumë mirë se bashkësia ndërkombëtare, BE dhe Shtetet e Bashkuara presin që dialogu të vazhdojë, dhe ai është i gatshëm për këtë”.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se ai nuk po shkonte në Beograd me një “ultimatum” dhe se Serbia nuk duhet të ketë frikë nga bashkëpunimi midis BE-së dhe SHBA-së në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Ai në një intervistë për Tanjug theksoi se është i bindur se ka një hapësirë ku Beogradi dhe Prishtina mund të bien dakord për marrëdhëniet e ndërsjella.
Lajçak gjithashtu thekson se gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd, do të dëshironte të dëgjonte përgjigjen e pyetjes kur dialogu do të vazhdojë në Bruksel.
“Nuk është sekret që unë pres që BE-ja të vazhdojë dialogun dhe që për Beogradin dhe Prishtinën, dialogu është i pashmangshëm në rrugën e BE-së. BE-ja është këtu, ne jemi gati të sjellim dy udhëheqës në Bruksel dhe tani pyetja është se kur do të ndodhë kjo. Unë dua të dëgjoj përgjigjen për këtë gjatë vizitës “, thotë Lajcak.
Lidhur me raportimet se ai po shkon në Beograd me të ashtuquajturën ” no-paper” e cila thuhet se përmban një lloj ultimatumi për autoritetet serbe, Lajçak thotë se “spekulimet dhe pritjet e mëdha” shfaqeshin gjithmonë përpara mbërritjes së tij.
“BE nuk punon në parimin e ultimatumeve. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar. Qëllimi i dialogut është të mbështesë të dyja: Beogradin dhe Prishtinën dhe të sjellë të ardhmen evropiane më afër të gjithë rajonit “, theksoi ai.
I pyetur për pritjet në lidhje me angazhimin dhe konstruktivitetin e qeverisë së re në Prishtinë, e cila do të përfaqësohet nga fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti, emisari i BE-së vlerësoi se Kurti e di shumë mirë se çfarë pritet prej tij “dhe se deklaratat e tij të para në lidhje me vazhdimin e dialogut nuk duhet të dramatizohen”.
“Ai u zgjodh për të zgjidhur disa çështje të brendshme të Kosovës, të tilla si korrupsioni, drejtësia dhe çështjet sociale, dhe ai e di shumë mirë se bashkësia ndërkombëtare, BE dhe Shtetet e Bashkuara presin që dialogu të vazhdojë, dhe ai është i gatshëm për këtë”, shtoi ai, transmeton Klan Kosova.
Ndërkaq, lidhur me bashkëpunimin me administratën e re në Washington sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Lajçak tha se nuk ishte një “partneritet i ri” por një kthim në “bashkëpunimin e vjetër”, i cili ai beson se ka kohë dhe traditë të suksesshme në Ballkanin Perëndimor.
“Ne jemi në kontakte të ngushta me partnerët amerikanë, e njohim mirë njëri-tjetrin dhe ndajmë të njëjtin qëllim, dhe kjo është e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor. Unë nuk mendoj se dikush duhet të ketë frikë nga bashkëpunimi BE-SHBA në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është një parakusht për integrimin e suksesshëm dhe Shtetet e Bashkuara dhe BE janë këtu për të ndihmuar”, potencoi zyrtari evropian, transmeton Klan Kosova
Kur u pyet se si BE, si ndërmjetësi kryesor në dialogun e Brukselit e sheh insistimin amerikan për “njohjen e ndërsjellë”, Lajçak tha se qëllimi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve dhe se Beogradi dhe Prishtina janë palë që duhet të bien dakord mbi “çfarë është normalizimi dhe çfarë është normale”.
Lajçak tha se “sheh hapësirë për marrëveshje dhe normalizim”.
“Ka vend për normalizimin e marrëdhënieve dhe ka hapësirë për arritjen e një marrëveshje që do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe do të përshpejtojë rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës.Unë jam absolutisht i bindur për këtë,” tha ai.
Emisari i BE-së përsërit se qëllimi është të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura midis të dy palëve, duke përfshirë “marrëveshjet për çështje të reja”, por gjithashtu marrëveshjet që nuk janë zbatuar ende “të tilla si Asociacioni”.
Ai përsërit se qëndron ende prapa vlerësimit se është e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë “brenda disa muajsh”, por gjithashtu thekson se BE nuk do të jetë ajo që “do të vendosë kur do të jetë” dhe se është një vendim tjetër që varet drejtpërdrejt nga gatishmëria dhe dëshira e Prishtinës dhe Beogradit.
“Unë u zgjodha të jem në dispozicion të Beogradit dhe Prishtinës 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, por pozicioni i BE është i qartë – ne nuk do ta shpejtojmë artificialisht procesin ose nuk do ta ngadalësojmë artificialisht. Kjo nuk është në interes të BE-së ose në interes të rajonit “”, përfundoi ai, transmeton Klan Kosova.
Discussion about this post