Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, i ka dorëzuar një letër avokatit të tij mbrojtës Ben Emmerson, për paraqitjen e tij të parë pranë Gjykatës Speciale.
Në këtë letër siç e ka cituar Ben Emmerson, Kadri Veseli është shprehur se i gjithë procesi i Dhomave të Specializuara është për të gjetur të vërtetën, njofton Klan Kosova.
”Procesi është atje për të gjetur të vërtetën dhe nuk kemi asgjë për të pasur frikë, nga e vërteta, për të penguar apo ndërhyrë në proces”.
”Të gjitha seksionet e shoqërisë tonë t’i përgjigjen kësaj situate me qetësi dhe dinjitet me besim dhe dijeninë që gjykatësi do të japë vendimin e drejtë deri në fund”.
”Ky Tribunal është ngritur nga Parlamenti i Kosovës që vepron në emër të popullit dhe është mishërim i parimit që ‘‘Nuk ka paqe pa drejtësi dhe nuk ka drejtësi pa paqe””.
”Megjithëse është në Hagë, kjo gjykatë është pjesë e ligjit tonë (Republikës së Kosovës)”.
”Nuk duhet të kemi asnjë lloj mërie ndaj ndërkombëtarëve që punojnë në Tribunal. Ata po bëjnë atë që ne populli i Kosovës kemi kërkuar të bëjmë”.
”Ky Tribunal është pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt krijmit të shtetit, drejt forcimit të shtetit dhe ne duhet ta çojmë këtë proces deri në fund”, është shprehur Kadri Veseli përmes letrës.
Discussion about this post